Ekonomia e Artit
Arkiva e parë në gjuhën shqipe për fushën e Ekonomisë dhe Menaxhimit të Artit e Kulturës.
Institucionet Kryesore Kombëtare të Kulturës dhe Artit sipas Instat-it
Categories: EKONOMIA E ARTIT

Sipas Institutit të Statistikës së Shqipërisë :

Institucionet Kryesore Kombëtare të Kulturës dhe Artit

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Muzeu i krijuar në 28 nëntor 1981 dhe i vendosur në një ndërtesë të ngritur posaçërisht për të, ka një sipërfaqe ekspozimi 18000 m2, një vëllim të përgjithshëm 81000 m3 dhe një fond prej rreth 4600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, nga të cilat në pavionin e Lashtësisë 550 objekte, të Mesjetës 188 objekte, të Rilindjes 240 objekte, të Pavarësisë 170 objekte, të Ikonave 65 copë, të Genocidit 136 copë.Pjesa tjetër e objekteve ruhen në fondet e këtij muzeu. Koleksionet e objekteve përfshijnë periudhën e Antikitetit  dhe të procesit historik të vijimësisë iliro-shqiptare ku mund të veçojmë bustin e Hyjneshës se Butrintit të shekullit IV para Krishtit, mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, inventarin e pasur të varrit monumental të Selcës së Poshtme Pogradec të shekullit III para Krishtit, inventarin me objekte të kulturës së Arbërit ose të Komanit, monedha të qyteteve dhe mbretërve ilirë. Me shumë vlerë janë shumë dokumenta dhe botime për Skënderbeun, objekte të periudhës Mesjetare si emblema të princërve shqiptarë, kolona të katedraleve të shkatëruara, relieve dhe ikona te ikonografëve të mëdhenj shqiptar si: Onufri, David Selenica e Kostandin Shpataraku i shekullit XIII, Epitafi i Gllavenicës, objekt tepër i çmuar i punuar në ar e mëndafsh në vitin 1373 nën kujdesin e princit shqiptar Gjergj Arianiti, me rëndësi veç të tjerave edhe për të dhënat që jep në shkrimin në të dy anët vertikale për Principatën e Balshajve. Muzeu Historik Kombëtar boton periodikisht revistën “Studime  Muzeologjike”. Muzeu është i pajisur me dy salla ekspozitash, dy salla konferencash  dhe një  bibliotekë  me rreth 2000 tituj librash të  karakterit muzeologjik dhe historik.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë i krijuar në vitin 1982 është i vendosur në kalanë e lashtë të Krujës, ish kryeqytet i shtetit të Arbërit, përmban objekte origjinale, dokumenta dhe riprodhime të historisë së Skënderbeut, Heroit tonë kombëtar dhe të shqiptarëve që nga shekulli XV dhe më pas.Muzeu i ndarë në disa pavione ka objekte dhe dokumente që nga periudha e Antikitetit, e veçanërisht të pushtimit osman,bibliotekën për Skënderbeun dhe hollin e princërve shqiptarë,koleksione dorëshkrimesh, një këmbanë kishe të vitit 1642, një shpatë të shekullit XV,etj. Muzeu është i pasur me objekte dhe piktura murale përgjithsuese të përmasave të mëdha.

Muzeu Kombëtar i Vendvarrimit të Skënderbeut, Lezhë u krijua në formë Memoriali në ndërtesën e Katedrales së Shën Nikollës, që është gjithashtu monumenti historik ku u  mbajt Lidhja e  Lezhës nga princërit shqiptarë në 2 Mars 1444 si edhe  katedralja ku u varros Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu më 17 janar 1468. Muzeu ruan një afresk të Shën Nikollës (absid), tre dritare dhe derën origjinale të kishës, harkun mbi derë dhe elemente të tjera origjinale të dekoracionit të brendshëm të kishës,si edhe përreth gjurmë arkeologjike të jetës së hershme të qytetit të Lezhës.

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, është vendosur në ndërtesën në të cilën u mblodh Qeveria e parë Shqiptare në vitin 1913, e ruajtur në formën e saj origjinale. Muzeu, i shpallur monument kulture ruan mobilje origjinale, objekte, dokumenta, libra dhe punime arti që lidhen me periudhën e Pavarësisë,ruan zyrën e kryeministrit të parë shqiptar Ismail Qemali, si dhe hollin e mbledhjeve të Qeverisë së parë shqiptare.

Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë, është vendosur në ndërtesën ku u çel në 7 mars 1887 Mësonjëtorja e parë e gjuhës shqipe,e njohur si Shkolla e Parë Shqipe, e dhuruar nga Diamanti Tërpo.Muzeu tregon me dokumenta historinë e shkrimit shqip dhe të botimeve shqipe,një prej tëcilëve është libri i shkruar shqip në vitin 1744 nga atdhetari Naum Veqilharxhi.

Muzeu i Artit Mesjetar, Korçë, shpallur muze Kombëtar në vitin 1992,është institucioni i kulturor i vetëm kombëtar i fushës së ikonografisë.Në muze janë ekspozuar punime arti me vlerë të piktorëve shqiptarë që përfshijnë një periudhë historike pesëshekullore më të spikaturat të shekujve XI-XIV,si veprat e piktorëve të shquar Onufri, David Selenica, Kostandin Shpataraku, vëllezërit Zografi, etj,të identifikuar deri 150 autorë shqiptarë e të huaj. Muzeu pasqyron edhe objekte e makete të arkitekturës së ndërtesave popullore të shekujve V-XIII, punime në metal argjendi, zbukurime të përdorimit të përditshëm si punime druri ,veshje.qëndisma,etj.

Muzeu Kombëtar Etnografik, Krujë, i vendosur në një ndërtesë të ndërtuar në vitin 1764,të cilësuar monument kulture të kategorisë së parë,në 15 dhoma dhe në katin përdhes ka të ekspozuara objekte dhe relike origjinale me vjetërsi 500 deri 60 vjet si: punime druri, qeramike, leshi dhe mëndafshi. Ato pasqyrojnë nëpërmjet simbolikës organizimin ekonomik e shoqëror shqiptar gjatë tre shekujve të fundit.

Muzeu Kombëtar “Onufri”, Berat, është ngritur brenda mjediseve të Katedrales së Shën Mërisë, në lagjen brenda kalasë mesjetare të Beratit. Muzeu mban emrin e Onufrit,njerit nga piktorët ikonografë më të mëdhenj shqiptarë,punimet e të cilit gjenden në shumë objekte kulti të Beratit,të Shpatit të Elbasanit, në Maqedoni e Greqi.Muzeu ka një koleksion të pasur me objekte ikonografike dhe religjioze,midis të cilave dhe punime të piktorit të shquar Joan Ceri dhe artistë të tjerë,si dhe punime në tekstil dhe metal të traditës artizanale të qytetit të Beratit.

Muzeu Kombëtar Etnografik, Berat, pasqyron “kulturën materiale” të jetës së qytetit të Beratit dhe zonave të tjera të jugut të Shqipërisë, në veçanti objekte që kanë shërbyer për prodhimin e vajit të ullirit e nënprodukteve të tjera të tij. Për në muze prin, e rindërtuar si monument i veçantë, një rrugë tipike mesjetare me dyqane anash.

Parku Kombëtar i Butrintit, është një nga monumemtet e trashëgimisë kulturore më të jashtzakonshme,i krahasuar me tempujt më të famshëm të botës,që ka në vetvete një bukuri që më shumë se kushdo tjetër  tregon besnikërisht historinë e qytetërimit mesdhetar.Butrinti është përfshirë nga  UNESCO në listën e Trashëgimisë Botërore, si një pasuri e klasit të parë në rrafsh botëror.Butrinti si qendër e rëndësishme arkeologjike mendohet të jetë zbuluar nga koloneli anglez W.Martin Leake, i atashuar pranë Ali Pashë Tepelenës. Në 1805 ai ia rekomandonte Ali Pashë Tepelenës për ta vizituar. Rreth vitit 1925 italiani Luigji Ugolini, arkeolog i ri e ambicioz, viziton Butrintin i frymëzuar nga historia e lashtë ku përmendet në ”Eneidën” e Virgjilit si qyteti ku është ndalur Enea në ikje e sipër nga Troja, nga letrat që Ciceroni i shkruante mikut të tij patricit Atiku I që jetonte pranë Butrintit, të dhëna që trupat e Kryqëzatës së katërt më 1204 kanë pushuar në Butrint, etj. Në vitin 1928  L.Ugolini filloi misionin arkeologjik duke bërë dhe dokumentuar shumë zbulime të rëndësishme të cilat u pasqyruan në një botim dhe në një muze të vogël të ngritur në Butrint. Butrinti i cili duhet të jetë themeluar në epokën e bronzit, është zgjeruar në shekullin VI dhe më vonë është rritur e zhvilluar me ndërtimin e teatrit, pallate, kisha, katedrale, fortifikime, etj., duke zënë sipas zbulimeve të mëvonshme një sipërfaqe sa dyfishi i deklaruar nga zbulimet e L.Ugolonit.Parku Kombëtar i Butrintit mbrohet dhe mbështetet sot nga shteti dhe së bashku me Fondacionin Butrinti është duke u trajtuar në mënyrë shkencore për ta bërë atë një nga dëshmitë e historisë tonë kombëtare.

Teatri Kombëtar i Artit Dramatik, Tiranë, i vendosur në ndërtesën e Teatrit Popullor, është institucioni më i lartë teatror më me përvojë dhe trupë artistësh të përgatitur. Teatri ka një sallë qendrore me 520 vende dhe ka vënë në skenë me qindra pjesë teatrore me nivel të lartë artistik.Teatri Kombëtar si dhe teatrot në rrethë janë duke kaluar një periudhë të gjatë dhe të vështirë reformimi dhe organizimi.

Teatri i Operas dhe Baletit , Tiranë është krijuar në vitin 1953 mbi bazën e Filarmonisë Shqiptare.E vendosur ne Pallatin e madh të Kulturës me një sallë prej 888 vendesh, ka vënë në skenë mbi 190 vepra shqiptare dhe të huaja si dhe mijëra koncerte vokale e instrumentale. TOB ka një trupë e cila përbëhet nga kori, solistët, orkestra simfonike dhe trupa e baletit.Që nga viti 2003 TOB është ndarë në dy institucione: në Kompaninë Teatrore Shtetërore Qendrore të Operas dhe Baletit dhe në Kompaninë Teatrore Shtetërore Qendrore të  Ansamblit  të Këngëve dhe të Valleve.

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore ,Tirane është krijuar në vitin 1957. Që nga ajo kohë e deri në vitin 2003 ka qënë strukturë e TOB dhe aktualisht kanë një seli të përbashkët. A.K.V.P. si institucioni i vetëm kombëtar i specializuar,kujdeset për zhvillimin dhe lartësimin artistik e profesional të vlerave muzikore e koreografike burimore.Ansambli ka dhënë  mbi 100 premiera dhe mbi 10 000 shfaqje brenda vendit, ku ka spikatur niveli i lartë artistik si në krijimtari dhe në ekzekutim.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Tiranë, është institucion qeveritar që siguron financimin e prodhimit të filmit shqiptar. Në vitin 1952 u krijua Studio-Filmi “Shqipëria e Re”. Filmi i parë është “Skënderbeu” i cili u realizua në bashkëpunim me artistë sovjetikë. Gjatë 45 vjetëve u prodhuan 300 filma artistikë, 700 dokumentarë dhe 150 të animuar. Para viteve 90 edhe studioja si të gjitha institucionet e tjera ishte një institucion i politizuar,gjë e cila u pasqyrua në të shumtën e prodhimeve të saj.Sot filmi shqiptar është në gjëndje kritike, me mungesë financimi, teknologji të prapambetur, vështirësi në shpërndarje etj. Këto kanë sjellë mbylljen e shumë kinemave, nga 65 në vitin 1991 sot janë 9. Në vitet nga 1999 e deri  më sot në Tiranë u ndërtuan e rindërtuan kinema Millenium 1dhe 2, brenda standarteve Evropiane, po ashtu u rindërtuan edhe në Elbasan, Shkodër e Korçë kinematë ekzistuese. Televizioni shtetëror dhe televizionet private, nuk kanë treguar interes në shfrytëzimin e lehtësive të studios për prodhimin e programeve, spektakleve, reklamave apo serialeve, duke e ngushtuar fushën e funksionimit dhe ulur më shumë vlerën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë, është institucioni shtetëror i specializuar që merret me ruajtjen, përpunimin shkencor, mirëmbajtjen, administrimin dhe shfrytëzimin e materialeve arkivore filmike,të të gjithë prodhimit kinematografik shqiptar dhe të huaj që disponon , dhe të dokumenteve shoqëruese të tyre.Ky institucion gjithashtu organizon kërkime arkivore brenda e jashtë vendit, bën studime të ndryshme që kanë të bëjnë me historinë e kinematografisë shqiptare si dhe kujdeset për botimin e këtyre punimeve.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në Tiranë, dekoruar me urdhërin “Nderi i Kombit” , themeluar në vitin 1920 ,konsiderohet si institucioni i parë shtetëror, publik i shtetit shqiptar.Si bërthamë e saj shërbeu koleksioni Albano-Ballkanologjik i “Komisisë  letrare shqipe”, shoqëri shqiptaro-austriake, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917. Në vitin 1922 Biblioteka kishte afërsisht  6 mijë vëllime, pas Luftës së parë Botërore rreth 15 mijë, në fund të vitit 1947 100 mijë, duke ardhur në ditët e sotme me një fond rreth 1 milion koleksione, si libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma, e materiale të tjera jo librore. Biblioteka ka të organizuar fondin e Arkivit me 60 mijë tituj, të Antikuarit me 2 mijë vëllime, të Dorëshkrimeve me 768 copë në gjuhët orientale,më pak perëndimore dhe shqip, të hartave të antikuarit me 52 copë, fondin e Albano-Balkanologjisë me 37,4 mijë vëllime, etj. Biblioteka boton bibliografi, buletine informative,manuale, si edhe është qendra e përgatitjes profesionale dhe studimeve në fushën e bibliotekonomisë.Nga viti 2000 BKSH boton buletinin e saj “Bibliothecae”.Biblioteka Kombëtare është e vendosur në Pallatin e madh të Kulturës, ka 5 salla leximi me 220 vende, me frekuentim rreth 7 mijë anëtarë dhe me mbi 100 mijë materiale qarkullimi në vit.Në vitin 1994 u krye katalogimi në një sistem të automatizuar i hyrjeve të reja dhe shënon fillimet e krijimit të skedarit elektronik.Instalimi i internetit ka bërë të mundur sigurimin e informacionit të shpejtë të saktë e të larmishëm.

Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, është institucioni më i rëndësishëm i ruajtjes, ekspozimit dhe studimit të veprave të artit pamor. Galeria në fillimin e saj  në formën e pinakotekës kishte një fond prej 100 vepra arti  të 40 autorëve, kryesisht të huaj dhe pak të autorëve të parë shqiptarë si Kol Idromeno, Simon Rrota, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Andrea Kushi, Odhise Paskali,etj.Në vitin 1974, Galeria u vendos në një ndërtesë të re dhe sot numëron  rreth 4300 vepra të 500 autorëve, një sallë videoprojeksjoni dhe konference, atelie të edukimit artistik dhe sallë biblioteke me mbi 700 tituj të fushës së artit pamor, Galeria boton periodikisht  revistën “Pamorart”, organizon ekspozita, konkurse ndërkombëtare si psh atë të Arteve vizuale bashkohorë “Onufri”,të Fotografisë artistike bashkohore, Bienalen e Tiranës, etj.

Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë, i krijuar në vitin 1965 gjurmon, studion, restauron dhe mbron me ligj 2400 objekte monumentale të cilësuara Trashëgimi Kulturore të vendit si: 592 monumente antike të Mesjetës si kala, rrënoja, ura etj, 180 monumente kulti dhe shumë vepra arti muziv apo ikonigrafik dhe afreske të çmuara, të cilat i përkasin periudhës antike, mesjetare e më vonë.. Ai e realizon veprimtarinë e vet në bashkëpunim me 8 Drejtoritë Rajonale të Monumemteve në Shkodër, Durrës, Tiranë, Berat, Korçë, Vlorë, Gjirokastër dhe Sarandë.Nga qendrat arkeologjike të qytetërimeve antike më të spikatura janë Butrinti, Apolonia, Durachiumi, Bylisi, qendrat monumentale historike si Berati, Gjirokastra, Kruja, pazaret Korçë, Shkodër etj.
Instituti ka një sistem arkivor mjaft të pasur, një bibliotekë me mbi 5,000 volume dhe boton në mënyrë periodike revistën “Monumentet”.

Institucione të tjera të rëndësishme si 

Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore,Tiranë është institucioni shkencor që kryen katalogimin informatik te Trashëgimisë Kulturore Shqiptare.e cili ka inventarizuar deri tani  32 553 objekte kulturore nga gjithsej 36 mijë që ka vendi.

Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike ,Tiranë është themeluar në vitin 1994 dhe ka si mision të ruajë ,gjallërojë  dhe transmetojë folklorin burimor si pjesë e trashëgimisë kulturore  e shpirtërore të popullit shqiptar duke pasqyruar aftësitë krijuese në shekuj ,shijen ,ndjeshmërinë dhe vecoritë e zhvillimit shoqëror e kulturor të kombit tonë.Nëpërmjet veprimtarive të saj folklorike në festivale kombëtare e rajonale si Festivali folklorik i Gjirokastrës e të tjera është synuar të ekspozohen këngët ,vallet,meloditë,instrumentet dhe kostumet popullore si një pasuri e rrallë e fondit të kulturës kombëtare. Nëpërmjet këtyre festivaleve ajo aktivizon artistë popullorë,shoqata kulturore dhe grupe folklorike që merren me folklorin në Shqipëri,Kosovë si dhe treva të tjera ku jetojnë shqiptarët.

Qendra e Realizimit të Veprave të Artit, Tiranë ,është e specializuar në krijimin e veprave të reja në bronz, tunxh, bakër, alumin, lëndë plastike, gips, beton, hekur, qeramikë, etj. duke pasuruar me vlera të reja artistike krijimtarinë dhe artin kombëtar si dhe kryen  mirembajtjen e veprave ekzistuese në vend.

http://www.instat.gov.al/

Share

Leave a Reply